Për të dytën ditë radhazi, seanca ndaj të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, në Gjykatën Themelore të Prishtinës është anuluar. Arsyeja e anulimit është gjendja shëndetësore e të akuzuarit Pantiq, e cila, sipas njoftimit të Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz, vazhdon të mbetet e pandryshuar. Po ashtu, seanca e të hënës është anuluar për të njëjtat arsye.
Pantiq, ish-kryeshef i Stacionit Policor në Istog, dhe Zariq, ish-polici, akuzohen për “Krim lufte kundër popullsisë civile” sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Aktakuza përshkruan dhunën sistematike të ushtruar ndaj të burgosurve shqiptarë në burgun e Dubravës më 19 dhe 21 maj 1999, përfshirë vrasjen e 21 të burgosurve dhe dhunën seksuale ndaj disa të burgosurve.
Seanca e radhës do të caktohet pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore të Pantiq.




