Eksperti i ekonomisë Arton Muhaxheri ka paralajmëruar se rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike nga 1 prilli do ta rëndojë edhe më shumë standardin e jetesës në Kosovë, në një kohë kur inflacioni tashmë po ndikon ndjeshëm te qytetarët.
Sipas tij, çdo shtrenjtim i energjisë reflektohet menjëherë në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, duke bërë që barrën kryesore ta bartin qytetarët përmes faturave më të larta dhe kostos më të madhe të jetesës.
Muhaxheri kritikoi edhe deklaratat për rritje ekonomike, duke theksuar se realiteti i familjeve është ndryshe, pasi çmimet po rriten vazhdimisht ndërsa pagat mbeten pothuajse të njëjta. Ai shtoi se qytetarët presin përgjigje konkrete nga institucionet për përballimin e kësaj situate.




