Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka reaguar lidhur me rastin e dyshuar të keqtrajtimit të një fëmije 5-vjeçar nga Lipjani, duke e cilësuar si tronditës dhe thellësisht të dhimbshëm. Ministria thekson se asnjë fëmijë nuk duhet të përjetojë dhunë apo neglizhencë dhe se dhuna ndaj fëmijëve është e papranueshme.
Fëmija aktualisht po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprime për mbrojtjen e fëmijëve të tjerë të familjes, duke i vendosur në ambient të sigurt.
Ministri Fatmir Hoti ka koordinuar rastin me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ndërsa Inspektorati për Shërbimet Sociale dhe Familjare do të nisë një hetim institucional për të verifikuar zbatimin e procedurave ligjore. Ministria thekson se do të vazhdojë komunikimin me institucionet për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.




