Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetime lidhur me dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, ku deri më tani janë dorëzuar nëntë kallëzime penale ndaj 49 personave.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë, Shkodran Nikçi, numri i kallëzimeve pritet të rritet në 31, duke përfshirë rreth 200 persona të dyshuar, kryesisht kryesues dhe komisionerë të vendvotimeve në komunën e Pejës.
Ai bëri të ditur se deri tani janë intervistuar 49 persona, ndërsa në vijim pritet të intervistohen edhe mbi 200 të tjerë vetëm për këtë komunë.
Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa disa nga procedurat mbeten konfidenciale deri në përfundimin e procesit. Pas përmbylljes së hetimeve, autoritetet kanë paralajmëruar se opinioni publik do të informohet për rezultatet.




