Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është vendosur që njërit prej 11 personave, të cilëve u ishte ndaluar vizita pa kufizime tek ish-presidenti Hashim Thaçi, t’i hiqet kjo masë. Ndërkohë, për dhjetë personat e tjerë kufizimet mbeten në fuqi.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i vetëm, Christoph Gosnell, më 16 janar 2026 dhe është bërë publik më 16 mars. Personi në fjalë kishte realizuar më herët vizita të monitoruara me Thaçin, pa u evidentuar shkelje apo tentativa për shpërndarje të informacionit konfidencial.
Mbrojtja e Thaçit argumentoi se kufizimet nuk janë më të nevojshme, duke theksuar se faza e paraqitjes së provave ka përfunduar dhe nuk ekziston rrezik real për ndikim te dëshmitarët. Po ashtu, u nënvizua se që nga vendosja e masave në dhjetor 2023 nuk është raportuar asnjë incident gjatë vizitave.
Sipas gjykatës, ky person kishte marrë pjesë në të paktën shtatë vizita të monitoruara pa probleme, dhe nuk kishte indikacione se kishte përdorur apo shpërndarë informacion konfidencial. Për këtë arsye, ndalimi i vizitave jo të privilegjuara ndaj tij u hoq menjëherë.
Megjithatë, gjyqtari vlerësoi se për dhjetë vizitorët e tjerë kufizimet mbeten të domosdoshme, pasi dyshohet se gjatë vizitave të mëparshme janë ndarë informacione konfidenciale ose janë dhënë udhëzime lidhur me dëshmitë. Sipas gjykatës, këto masa synojnë mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor.
Gjykata bëri të ditur se masat mund të rishikohen në një fazë të mëvonshme, në varësi të zhvillimeve të reja në proces.
Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar paraqitjen e provave në rastin kundër Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë, përfshirë Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Mbrojtja ka afat deri më 23 mars 2026 për të dorëzuar mocionet për rrëzimin e akuzave, ndërsa Prokuroria duhet të përgjigjet deri më 25 mars. Nëse çështja kalon në fazën e mbrojtjes, deklaratat hyrëse pritet të nisin më 7 prill, ndërsa procesi mund të zgjasë deri më 24 prill 2026.
Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, po gjykohet për krime lufte dhe për pengim të drejtësisë, ndërsa të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjen e tyre fillestare.




