Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti për largimin e mbështetjes financiare ndaj projektit të Autostradës së Dukagjinit, duke e cilësuar si një ndër projektet më të rëndësishme zhvillimore për Kosovën.
Haradinaj theksoi se gjatë qeverisjes së tij, projektimi i autostradës ishte një hap konkret drejt realizimit të një korridori ekonomik që do të lidhte Istogun, Pejën, Deçanin, Gjakovën, Rahovecin, Suharekën dhe Prizrenin. Ai shtoi se ndalimi i projektit nga qeveria aktuale rrezikon ekonominë rajonale, investimet, turizmin dhe mundësitë për qytetarët e Dukagjinit.
Sipas tij, heqja e mbështetjes financiare nënkupton humbje kohe dhe mundësish, duke penguar zhvillimin e zonës dhe rritjen e konkurrencës ekonomike. Haradinaj tha se qytetarët e Dukagjinit kanë nevojë për këtë autostradë dhe jo për arsyetime politike.





