Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet R.K., nga Skenderaj, i dyshuar për veprat penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Mbajtja e paautorizuar e armëve”.
Ngjarja ka ndodhur më 21 mars 2026, në një restorant në fshatin Uglar, Fushë Kosovë, ku i pandehuri dyshohet se ka kërcënuar seriozisht një person që ndodhej në një dasmë. Viktima është dëshmitar bashkëpunues në rastin e njohur si “Brezovica”, një çështje penale që po shqyrtohet në Gjykatën Themelore në Pejë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri R.K. dyshohet se i ka thënë viktimës: “Vetëm qenke me fëmijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lan.” Ky kërcënim ishte bërë me qëllim të frikësimit të dëshmitarit që të mos japë deklarata në lidhje me çështjen e tij penale.
Përveç kësaj ngjarje, i njëjti person ka qenë i përfshirë më herët si i pandehur në rastin “Brezovica” për veprën penale të shmangies nga tatimi.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj R.K. në Gjykatën Themelore në Pejë brenda afatit ligjor.




