Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës për të diskutuar zhvillimet politike, situatën institucionale dhe procesin e riorganizimit të brendshëm të partisë.
Sipas PDK-së, papërgjegjshmëria e shumicës parlamentare ka krijuar krizë dhe pasiguri, ndërsa rruga për dalje nga kjo situatë është kthimi te qytetari përmes zgjedhjeve të reja që do të sjellin institucione me legjitimitet dhe drejtim të qartë politik.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka theksuar se riorganizimi i partisë synon ofrimin e një alternative serioze dhe përgjegjëse qeverisëse.
Ai ka nënvizuar gjithashtu shqetësimin për gjendjen ekonomike dhe nevojën për institucione funksionale që adresojnë problemet reale të qytetarëve.
Partia rithekson përkushtimin e saj për stabilitet institucional, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare, me qëllim rikthimin e besimit në institucionet e vendit.




