Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se është e domosdoshme të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes, duke theksuar se rruga institucionale duhet të jetë e qartë përpara se të ndërmerren hapa të tjerë.
Haxhiu theksoi se qëllimi i saj është që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke kërkuar konsensus politik për zgjedhjen e presidentit. Ajo shtoi se është e rëndësishme të gjendet një qëndrim i përbashkët dhe të shmangen lojërat politike apo inatet.
“Unë si kryetare e Kuvendit do të bëj gjithçka që është në dorën time dhe nën përgjegjësitë e mia që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi një rrugë të përbashkët dhe konsensus për zgjedhjen e presidentit,” tha Haxhiu.
Ajo gjithashtu nënvizoi se shpreson që deri më 4 prill vendi të ketë president të zgjedhur me mandat të plotë dhe se do të ushtrojë përgjegjësitë e saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.




