Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka denoncuar probleme serioze me njësorët elektrikë, duke thënë se ata masin gabimisht kohën dhe tarifat e energjisë, duke kushtuar qytetarëve miliona euro.
Sipas Azemit, një hulumtim i bërë në mbi 800 njësorë në Prishtinë dhe Ferizaj ka treguar se 87% e njësorëve nuk matnin kohën si duhet. Për pasojë, qytetarët paguajnë gjithmonë tarifën e shtrenjtë edhe kur duhet të paguajnë tarifën e lirë. Ai theksoi se diferencat në kohë mund të shkojnë deri në 15 orë, duke krijuar një mashtrim sistematik në faturimin e energjisë elektrike.
Azemi kërkoi hetim penal dhe auditim të pavarur forenzik të sistemit të faturimit të KEDS-it dhe tërheqjen e menjëhershme të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), duke theksuar se ky institucion ka dështuar në mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe zbatimin e ligjeve.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë është përgjegjëse për rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut energjetik, dhe duhet të sigurohet që vendimet dhe ligjet e saj të zbatohen në praktikë. Prandaj kërkojmë dorëheqjen e bordit,” tha Azemi./EO/




