Banori nga Kijeva, Rexhep Toplana, ka reaguar publikisht kundër vendimit të Komunës së Malishevë për vendosjen e një deponie mbeturinash pranë zonave të banuara në këtë fshat.
Në reagimin e tij, ai shpreh respekt për kryetarin Ekrem Kastrati dhe drejtorin e inspektoratit Jakup Gashi për punën e deritanishme, por e cilëson këtë vendim si të gabuar dhe në kundërshtim me interesin e qytetarëve.
Sipas Toplanës, banorët e Kijevës nuk janë konsultuar dhe nuk kanë dhënë pëlqim për grumbullimin e mbeturinave pranë shtëpive të tyre. Ai kërkon anulimin e menjëhershëm të vendimit, duke theksuar se vendosja e deponive duhet të bëhet larg vendbanimeve, në përputhje me ligjet për mbrojtjen e ambientit.
Ai paralajmëron gjithashtu se një vendim i tillë mund të çojë në protesta të banorëve dhe përplasje me institucionet, ndërsa bën të ditur se rasti tashmë është adresuar edhe tek institucionet qendrore dhe janë mbledhur nënshkrime kundërshtuese.
Toplana përfundon reagimin me thirrjen që Komuna e Malishevës të rishqyrtojë vendimin dhe të marrë parasysh shqetësimet e banorëve për një mjedis më të pastër dhe të sigurt.




