Mjedrat konsiderohen si një nga frutat më të shëndetshme për organizmin, falë vlerave të tyre të larta ushqyese. Një racion prej rreth 130-150 gramësh përmban proteina, fibra, vitamina të rëndësishme si C, K dhe E, si dhe minerale thelbësore si kaliumi, magnezi dhe hekuri. Përveç kësaj, ato janë të pasura me antioksidantë që ndihmojnë në mbrojtjen e trupit nga dëmtimet qelizore.
Konsumimi i rregullt i mjedrave lidhet me përmirësimin e shëndetit të zemrës, pasi kaliumi dhe antioksidantët ndikojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare. Po ashtu, përbërësit e tyre ndihmojnë në luftimin e radikaleve të lira, duke penguar zhvillimin e disa llojeve të tumoreve.

Falë përmbajtjes së lartë të fibrave, mjedrat kontribuojnë në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak, duke qenë të dobishme për personat me diabet. Ato mbështesin edhe sistemin tretës, duke ndihmuar në funksionimin normal të zorrëve dhe në eliminimin e toksinave.
Një tjetër përfitim i rëndësishëm lidhet me shëndetin e syve. Vitamina C dhe antioksidantët që përmbajnë mjedrat ndihmojnë në mbrojtjen nga dëmtimet e rrezeve ultraviolet dhe ruajnë shikimin.
Me kaq shumë vlera në një racion të vetëm, mjedrat mbeten një zgjedhje ideale për forcimin e shëndetit, veçanërisht në periudha kur organizmi ka nevojë për mbështetje shtesë.




