Me përfundimin e afatit ligjor në fund të marsit, mbi 9 mijë e 800 zyrtarë publikë kanë deklaruar pasurinë në Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ndërsa 140 të tjerë ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim.
Drejtori i agjencisë, Yll Buleshkaj, bëri të ditur se kanë nisur procedurat për shqiptimin e gjobave ndaj zyrtarëve që nuk kanë deklaruar pasurinë brenda afatit.
Sipas tij, gjatë ditës do të dërgohen kërkesat për verifikimin e pagave bazë të këtyre zyrtarëve, në mënyrë që gjobat të caktohen sa më shpejt. Ai theksoi se gjoba automatike për tejkalimin e afatit është 30% e pagës bazë.
Zyrtarëve u është dhënë edhe një afat shtesë prej 15 ditësh për të përmbushur këtë detyrim. Gjatë kësaj periudhe nuk parashihen masa të tjera ndëshkuese, por nëse nuk veprojnë as pas këtij afati, ata mund të përballen me kallëzime penale.
Bazuar në ligjin për deklarimin e pasurisë, këtë obligim e kanë një sërë zyrtarësh publikë, përfshirë presidentin, deputetët, ministrat, gjyqtarët, prokurorët, si dhe kategori të tjera si mjekët, profesorët universitarë dhe zyrtarët doganorë.




