Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përmbyllur konsultimet për Kosovën, duke konstatuar ngadalësim të rritjes ekonomike gjatë vitit 2025 dhe rritje të presioneve inflacioniste.
Sipas raportit, rritja ekonomike ra në 3.6% në vitin 2025, nga 4.6% në 2024, për shkak të dobësimit të eksportit dhe kërkesës private. Inflacioni vazhdoi të rritej, duke arritur 5.7% në janar 2026, kryesisht për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve.
Deficiti buxhetor u thellua në 9.2% të Bruto Produktit Vendor, pas rritjes së importeve të energjisë dhe ushqimeve. Megjithatë, raporti evidenton rritje të punësimit formal dhe moderim të rritjes së pagave krahasuar me vitin e kaluar.
FMN paralajmëron se perspektiva ekonomike mbetet e pasigurt, e ndikuar nga tensionet globale, konfliktet rajonale dhe paqëndrueshmëria politike në vend. Për vitin 2026, pritet ngadalësim i rritjes në 3.3% dhe inflacion deri në 5.9%, me stabilizim gradual në vitet në vijim.
Institucioni rekomandon rishikim të politikave fiskale për të shmangur thellimin e deficitit, rritje të investimeve publike cilësore, kontroll të shpenzimeve dhe përmirësim të mbledhjes së të hyrave. Sektori financiar konsiderohet i qëndrueshëm, por FMN sugjeron forcim të mbikëqyrjes dhe mekanizmave për menaxhimin e krizave sistemike.
Në përfundim, raporti thekson rëndësinë e reformave strukturore në tregun e punës, energji dhe administratë publike, si dhe implementimin e planit të rritjes së Bashkimit Evropian për të përmirësuar konkurrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.




