Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka ngritur shqetësime për mënyrën se si funksionojnë njehsorët elektrikë në Kosovë, duke thënë se qytetarët po mashtrohen dhe po paguajnë fatura më të larta për energji elektrike.
Sipas saj, verifikimet në terren të dhjetëra njehsorëve tregojnë se mbi 87% e tyre masin kohën gabimisht, duke krijuar keqllogaritje të shpenzimeve dhe faturim të padrejtë për familjet. Lushaku kritikon qeverinë dhe Ministrinë e Industrisë për mosreagim dhe thekson se qytetarët kanë paguar për muaj, e ndoshta edhe vite, fatura të gabuara.
Ajo ka kërkuar përgjegjësi nga KEDS, ZRRE, KESCO dhe institucionet relevante, duke theksuar se mbrojtja e qytetarëve duhet të jetë prioritet. “Ky fenomen nuk është i izoluar, por i përhapur masivisht te çdo familje. Ministria nuk mund të sillet si spektatore,” tha Lushaku.




