Kryeministri Edi Rama, gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste në njësinë nr. 14 në Tiranë, foli për procesin e legalizimeve, duke theksuar se deri tani janë realizuar rreth 300 mijë legalizime, por mijëra pronarë ende presin.
Rama njoftoi se po krijohet një sistem i ri bazuar në vite dhe grupe, për të shmangur parregullsitë ku disa marrin legalizimin më shpejt se të tjerët. Ai theksoi se procesi nuk do të lejojë “kapërcime” të padrejta dhe do të jetë transparent.
Gjithashtu, Kryeministri tha se po digjitalizohen të gjitha hartat e pronave – deri tani janë skanuar 54 milionë fletë, secila me deri në 8 veprime, dhe brenda vitit 2027 pritet që gjithçka të jetë digjital, duke e bërë procesin më të thjeshtë dhe më të shpejtë për qytetarët.




