Një ngjarje tragjike është shënuar mbrëmjen e djeshme në Via Piave, në Bolonjë të Italisë, ku një djalë 12-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën pasi është rrëzuar nga dritarja e çatisë së një ndërtese.
Sipas raportimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, kur i mituri po ecte mbi një sipërfaqe xhami, e cila nuk ka përballuar peshën e tij dhe është thyer. Si pasojë, ai ka rënë dhe është përplasur në shkallët e ndërtesës.
Pavarësisht përpjekjeve të shokëve që ndodheshin me të për t’i ardhur në ndihmë, 12-vjeçari ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Menjëherë pas incidentit, në vend kanë mbërritur ekipet e urgjencës dhe forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Hetimet po përqendrohen në zonën ku ndodhi rënia, përfshirë oborrin dhe shkallët e ndërtesës, si dhe në kushtet e sigurisë së objektit.




