Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin për veprën penale “keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 7 prill 2026, rreth orës 10:00, kur të dyshuarit janë hasur duke shpërndarë dokumente të ndryshme në kuadër të shërbimeve të Postës së Serbisë.
Gjatë kontrollit të banesave të tyre, policia ka sekuestruar dokumente të ndryshme që, sipas autoriteteve, dëshmojnë se të dyshuarit kanë ushtruar veprimtari si postierë të Postës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Kujtojmë se më 5 gusht 2024, Qeveria e Kosovës kishte mbyllur zyrën e Postës së Serbisë në Mitrovicën e Veriut, e cila për vite me radhë kishte ofruar shërbime postare pa licencë dhe jashtë sistemit institucional të vendit. Institucionet e Kosovës i kanë konsideruar këto veprimtari si ilegale dhe në kundërshtim me sovranitetin shtetëror.




