Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit që lidhen me një vendim gjyqësor për dëmshpërblim mbi 32 milionë euro.
Sipas tyre, raste të tilla që ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetin publik dhe klimën e të bërit biznes kërkojnë transparencë, profesionalizëm dhe trajtim të kujdesshëm institucional.
Ata theksojnë se sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë i pavarur dhe pa ndërhyrje politike, duke paralajmëruar se çdo presion i jashtëm cenon besimin në institucione dhe krijon pasiguri për sektorin privat.
Po ashtu, u kërkua që në diskursin publik të ruhet integriteti i kompanive dhe të shmangen paragjykimet që mund të dëmtojnë reputacionin e tyre.
Komuniteti i biznesit vlerëson se siguria juridike dhe zbatimi i barabartë i ligjit janë thelbësore për një klimë të qëndrueshme ekonomike, duke bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe shmangie të ndërhyrjeve politike në drejtësi.




