Shëndeti i syve tek fëmijët është thelbësor për zhvillimin e tyre dhe kërkon kujdes të vazhdueshëm nga prindërit.
Në vitet e para të jetës, shikimi zhvillohet gradualisht dhe është më i ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm si ndriçimi i fortë, pajisjet elektronike dhe ushqyerja e papërshtatshme.
Sipas ekspertëve, të porsalindurit fillimisht dallojnë vetëm bardhë e zi, ndërsa me kalimin e muajve dhe viteve, shikimi zgjerohet dhe përmirësohet deri në moshën 10-vjeçare.
Për këtë arsye, kontrollat e rregullta tek mjeku okulist janë të domosdoshme për të identifikuar në kohë probleme si miopia, hipermetropia apo çrregullimet e tjera të shikimit.
Për mbrojtjen e syve të fëmijëve rekomandohet që bebet të mos ekspozohen ndaj dritës së fortë dhe pajisjet elektronike të mbahen në distancë. Për fëmijët më të rritur, aktivitetet në natyrë dhe kufizimi i kohës para ekranit janë shumë të rëndësishme.
Një rol të madh luan edhe ushqyerja. Ushqimet e pasura me vitamina dhe antioksidantë, si perimet jeshile, vezët, agrumet, frutat e pyllit dhe bajamet, ndihmojnë në mbrojtjen e shikimit dhe në parandalimin e sëmundjeve të syve.
Kujdesi i hershëm dhe zakonet e shëndetshme janë çelësi për një shikim të mirë gjatë gjithë jetës.




