Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë nga burgu për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Gazetari Michael Martens, i cili prej vitesh mbulon zhvillimet në Ballkan, ka bërë të ditur në rrjetin social X disa nga pyetjet që i janë drejtuar Thaçit. Sipas tij, intervista pritet të publikohet gjatë mbrëmjes.
Një nga temat kryesore të intervistës lidhet me procesin gjyqësor në Hagë dhe ndikimin e tij të mundshëm në perceptimin historik të luftës në Kosovë. Në pyetjet e tij, gazetari ngre shqetësimin nëse ky proces mund të krijojë një narrativë të shtrembëruar, ku palët shihen gabimisht si përgjegjëse në mënyrë të barabartë për krimet e luftës.
Po ashtu, Thaçit i është drejtuar një pyetje edhe lidhur me ish-prokurorin Jack Smith, i cili ka ngritur aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Gazetari ka përmendur edhe kritikat e disa figurave politike amerikane ndaj Smithit, duke pyetur nëse Thaçi e sheh atë si pjesë të një loje më të gjerë politike.
Kjo është intervista e dytë e Thaçit nga burgu, pas disa prononcimeve të mëhershme për media në Kosovë./eo/




