Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar që për këtë vit të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët.
Në një njoftim për media, ZRRE ka bërë të ditur se ka publikuar raportet konsultative për të hyrat maksimale të lejuara për KOSTT, KEDS dhe KESCO.
Sipas njoftimit, institucioni ka propozuar shmangien e ndikimit të menjëhershëm të kostove duke i shpërndarë ato në më shumë se një periudhë tarifore, përmes një mekanizmi të profilizimit të kostove.
Ky mekanizëm parasheh që një pjesë e rritjes së kostove të furnizimit të shpërndahet në kohë, duke synuar zbutjen e ndikimit në tarifa brenda një viti të vetëm. Megjithatë, ZRRE thekson se kjo nuk përbën ulje reale të kostove, por vetëm një shpërndarje të tyre ndër vite.
Sipas propozimit, për këtë vit tarifor nuk pritet të ketë rritje të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal, duke synuar ruajtjen e përballueshmërisë dhe stabilitetit të furnizimit me energji.




