Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, gjatë së cilës ka shqyrtuar dhe miratuar disa projektligje dhe vendime me rëndësi.
Sipas njoftimit zyrtar, në këtë mbledhje janë miratuar Projektligji për Energjinë si dhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Po ashtu, ekzekutivi ka aprovuar ndryshimet në Tabelat 3.1 dhe 3.2 të Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026. Këto ndryshime synojnë përmbushjen e obligimeve financiare dhe kontraktuale që kanë mbetur të papërmbushura nga viti i kaluar.
Në kuadër të vendimeve të marra, është miratuar edhe rregullimi kontabël i shpenzimeve buxhetore të realizuara gjatë periudhës së financimit të përkohshëm për tremujorin e parë të vitit 2026. Ky rregullim bëhet për të siguruar që shpenzimet të pasqyrohen në përputhje me strukturën e re organizative të ministrive, siç përcaktohet me rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative.
Këto vendime synojnë përmirësimin e menaxhimit financiar dhe funksionimin më efikas të institucioneve shtetërore.




