Kampioni në fuqi, Rahoveci, do të përballet me fituesin aktual të Kupës së Kosovës, Kastriotin, në gjysmëfinale të “Final 4” të Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll, në konkurrencën e meshkujve.
Shorti për këtë fazë u tërhoq të hënën pasdite në ambientet e Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen më 25 prill, ndërsa finalja është paraparë të luhet më 26 prill. Vendi ku do të organizohet turneu final do të përcaktohet nga Bordi i FHK-së, bazuar në konkursin e hapur.
Përballja mes Rahovecit dhe Kastriotit pritet me interesim të madh, pasi të dy skuadrat synojnë trofeun. Aktualisht, Kastrioti i Ferizajt kryeson Superligën, ndërsa Rahoveci renditet në vendin e dytë.
Në gjysmëfinalen tjetër do të përballen Besa Famgas dhe Prishtina, me skuadrën pejane që konsiderohet favorite për të siguruar një vend në finale.




