Pas pulikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese se nesër nga ora 11:00 do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, ka reaguar Presidenca e Kosovës duke e cilësuar këtë proces si “urgjencë shtetërore” dhe ka kërkuar konstituimin e menjëhershëm të institucioneve, për shkak se vonesat po dëmtojnë kredibilitetin dhe përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”. Thuhet nga Presidenca për RTKlive, transmeton RTV Malisheva.




