Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me një postim në Facebook ka reaguar ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Ai ka thënë se veprimet e grupit parlamentar të VV-së dhe kryesuesit të seancës, Avni Dehari kanë qenë në përputhje të plotë me Kushtetutën, duke u bazuar në aktgjykimin e vitit 2014-të.
“Kryesuesi i Seancës Konstituive z. Avni Dehari, dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje që nga data 15 prill e deri më 26 korrik kanë vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën, nëse marrim për bazë Aktgjykimin KO119/2014,” ka shkruar Murati.
Ai shtoi se Kushtetuta nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë, por ndryshimi ka ardhur në interpretimin që po i bëhet asaj nga anëtarët aktualë të Gjykatës Kushtetuese, duke e lidhur këtë me ndërrimin e partisë fituese të zgjedhjeve.
“Kushtetuta është e njëjta si në vitin 2014. Nuk ka ndryshuar. Por ajo çfarë ka ndryshuar është interpretimi që po i bëjnë Kushtetutës anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sepse ka ndryshuar fituesi – tash është Lëvizja Vetëvendosje e nuk është PDK-ja,” theksoi Murati.





