Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në veri të vendit, ku në gjashtë raste të ndara në Zubin Potok janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale.
Kontrollet janë zhvilluar në disa lokacione në fshatrat Banovë dhe Prevllak, ku në shtëpi të pabanuara dhe objekte të ndryshme janë zbuluar pushkë të llojeve të ndryshme, armë automatike AK-47, fishekë, karikatorë, radio-lidhje, uniforma ushtarake si dhe një granatë dore.
Në njërin rast, një person është shoqëruar në stacion policor për armëmbajtje pa leje dhe më pas është liruar me urdhër të prokurorit, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Policia bëri të ditur se të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit, ndërsa rastet janë iniciuar për veprën penale “mbajtje e paautorizuar e armëve”. Gjithashtu, u bë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë raste të dyshimta në numrin 192.




