Një laborator për prodhimin e narkotikëve është zbuluar dhe asgjësuar gjatë një aksioni të realizuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Operacioni është zhvilluar në fshatin Jabllanicë e Vogël, ku njësitet anti-drogë kanë gjetur dhe sekuestruar 91 bimë të dyshuara si kanabis sativa, pajisje për kultivim, si dhe një armë zjarri. Gjithashtu është konstatuar edhe kyçje ilegale në rrjetin elektrik për funksionimin e laboratorit.
Gjatë aksionit është arrestuar një person i dyshuar, i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Bimët narkotike janë asgjësuar, ndërsa provat e tjera do të përdoren në procedurën penale.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe kanë ftuar qytetarët të bashkëpunojnë në raportimin e rasteve të ngjashme për të luftuar aktivitetet e kundërligjshme.//EO//




