Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë zhvilluar aktivitete intensive gjatë javës së kaluar, duke realizuar gjithsej 173 urdhëresa të gjykatës në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara.
Nga këto, 45 urdhëresa kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat kanë të bëjnë me kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera.
Në përputhje me këto urdhëresa, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë. Gjatë së njëjtës periudhë janë sekuestruar gjashtë armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione përkatëse.
Ndërkohë, në fushën e sigurisë në trafikun rrugor, policia ka shqiptuar 4,594 masa administrative me gjobë për shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit. Prej tyre, 413 shkelje janë evidentuar nga veturat inteligjente dhe ato me radar mobil.




