Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot familjen e Zejnepe Gashit në Sllovi të Lipjanit, familje e cila gjatë luftës ka humbur pesë anëtarë.
Gjatë vizitës, Osmani theksoi se sakrifica e familjes Gashi mbetet një amanet për ndërtimin e një shteti ku jeta, dinjiteti dhe e drejta mbrohen gjithmonë.
“Qëndrestarja e ndjerë Zejnepe Gashi jetoi me humbjen më të rëndë që mund të përjetojë një nënë dhe një grua. Gjatë luftës, ajo humbi bashkëshortin, dy djemtë dhe dy nipërit e saj. Në pranverën e vitit 1999, në këtë fshat u vranë edhe dhjetëra civilë të pafajshëm. Këto plagë nuk i përkasin vetëm një familjeje, por janë pjesë e kujtesës sonë kolektive,” u shpreh Osmani.
Ajo kujtoi gjithashtu se muajin e kaluar e ka dekoruar pas vdekjes Zejnepe Gashin me Medaljen Presidenciale të Meritave, për sakrificën dhe kontributin e saj në dokumentimin e krimeve të luftës në masakrën e Sllovisë.
Osmani shtoi se vizita në familje kishte për qëllim nderimin e së kaluarës dhe forcimin e përgjegjësisë për të ardhmen, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet një amanet për drejtësi dhe mbrojtjen e vlerave njerëzore.
“Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë tonë,” u shpreh ajo.




