Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit gjyqësor që ka shqiptuar burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademaj.
Ajo ka vlerësuar se vendimi përbën një përgjigje të fortë dhe të merituar ndaj një krimi të rëndë që ka tronditur opinionin publik në vend. Sipas saj, përpjekjet për ta maskuar ngjarjen vetëm sa e kanë rënduar edhe më shumë veprën penale.
Albulena Haxhiu ka theksuar se asnjë vendim gjykate nuk mund ta kthejë viktimën pranë familjes së saj, por ka nënvizuar se drejtësia duhet të dërgojë mesazh të qartë se krime të tilla nuk tolerohen.
Ajo ka shtuar se lufta kundër dhunës ndaj grave kërkon institucione të forta dhe zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës, duke shprehur njëkohësisht ngushëllime dhe mbështetje për familjen e viktimës.




