
Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në mëngjes e sotëm në objektin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar për Sinjalin ndërhyrjen policore, duke bërë të ditur se veprimet po kryhen me autorizim të Prokurorisë kompetente dhe se janë të lidhura me hetime që kanë në shënjestër disa persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, tha Kelani.
Gazeta Sinjali ka siguruar emrat e tri zyrtareve të Ministrisë së Infrastrukturës që janë ndaluar deri më tani nga Policia e Kosovës, si pjesë e hetimeve që lidhen me dyshimet për shkelje të rënda ligjore.
Burime të besueshme të Sinjalit konfirmojnë se të ndaluarat janë: Florije Selimi – zyrtare në MI, njëherësh nëna e reperit Getoar Selimi, Edila Gosalci dhe Vjollca Visha.
Siq raporton Sinjali, arrestimi i tyre është bërë pas veprimeve të koordinuara nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, ndërsa dyshimet që rëndojnë mbi to lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe veprime që mund të kenë dëmtuar interesin publik në kuadër të projekteve të infrastrukturës.