Presidenti Amerikan Donald Trump ka deklaruar se një takim I parë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky do të ishte më i përshtatshëm pa praninë e tij.
Ndërkaq presidenti ukrainas Zelensky theksoi se presioni i vazhdueshëm mbi Kremlinin mbetet mënyra e vetme për t’i dhënë fund agresionit rus në Ukrainë.
Në anën tjetër Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se forcat e saj kanë kryer një sulm të fuqishëm ndaj një fabrike dronësh me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, të cilin sulm e ka konfirmuar Kievi.
Brenda dy javësh, partnerët dhe aleatët do të dinë nëse mund të arrihet paqja në Ukrainë. Kështu ka deklaruar presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në emisionin “Todd Starnes Show”.
Trump, ka shprehur synimin për të ndërmjetësuar një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, për momentin pa përfshirje të drejtpërdrejtë nga ana e tij.
Udhëheqës ushtarakë nga SHBA-ja dhe disa vende evropiane kanë përgatitur një plan për garanci sigurie për Kievin, i cili do t’u paraqitet këshilltarëve të sigurisë kombëtare për shqyrtim.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kundërshtoi ashpër këtë qasje, duke deklaruar se prania e trupave të huaja në Ukrainë është “absolutisht e papranueshme” për Moskën dhe për “të gjitha forcat e arsyeshme politike në Evropë”.




