Policia e Kosovës ka arrestuar një person në rajonin e Gjilanit, i dyshuar për përfshirje në veprat penale të fajdesë dhe armëmbajtjes pa leje.
Pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, në koordinim me Prokurorinë Themelore, janë siguruar prova dhe dëshmi që lidhin të dyshuarin B.S. (1959), banor i komunës së Vitisë, me këto aktivitete të paligjshme.
Me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjilan, policia ka realizuar kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të tij, ku janë sekuestruar para të gatshme në vlerë prej 5 mijë euro, një pistoletë me gas, një pushkë gjuetie dhe një pistoletë me leje valide, si dhe një sasi municioni të kalibrave të ndryshëm.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë në qendrën e ndalimit.




