Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar në Kuvend kriteret për përfitimin e pagës së 13-të, duke theksuar se kjo e drejtë u takon vetëm punonjësve që janë pjesë e listës së pagave të organizatave buxhetore.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ai theksoi se vendimi mbështetet në bazë ligjore dhe është në përputhje me planifikimet buxhetore për vitin 2026.
Sipas tij, përfitues janë të gjithë zyrtarët që kanë qenë të angazhuar së paku 12 muaj dhe që figurojnë në listën e pagave të muajit mars 2026 në kuadër të institucioneve buxhetore.
Kurti sqaroi gjithashtu se Radio Televizioni i Kosovës, si institucion publik i pavarur, nuk përfshihet në këtë kategori, pasi menaxhon në mënyrë të pavarur çështjet financiare dhe të personelit. Për këtë arsye, punonjësit e këtij institucioni nuk janë pjesë e përfituesve të pagës së 13-të.
Ai shtoi se vendimi i Qeverisë vetëm sa konkretizon kriteret e përcaktuara me ligj, duke përjashtuar institucionet që nuk janë pjesë e sistemit të pagave shtetërore.




