Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë Johann Saathoff, ka deklaruar se për shtetin gjerman thelbësore është që Kosova të ketë një qeveri stabile dhe partner të besueshëm për bashkpunim.
“Në shoqërimin e përbashkët të rrugës drejt Bashkimit Evropian është patjetër e rëndësishme që të krijohet një qeveri e besueshme, me të cilën mund të bashkëpunojmë në partneritet dhe të vazhdojmë punën tonë së bashku. Do të ketë ende disa sfida në të ardhmen, të cilat ne dëshirojmë t’i përballojmë së bashku”, tha ai.
Sekretari parlamentar gjerman këto deklarime i bëri pas vizitës në Parkun e Trajnimeve dhe Inovacionit në Prizren, vizita e tij zhvillohet në kuadër të mbështetjes gjermane për nisma zhvillimore ne vend.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Kosovë, Saathoff do të zhvillojë takime me përfaqësues të qeverisë dhe do të vizitojë projekte që mbështeten nga Qeveria gjermane.
Sipas njoftimit të ambasadës, kjo vizitë nënvizon angazhimin e vazhdueshëm të Gjermanisë për të nxitur rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimin dypalësh.




