Me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen për tregti të lirë me shtetet e EFTA-s.
Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se marrëveshja është një instrument i rëndësishëm i politikës tregtare dhe do të ndihmojë në thellimin e integrimit ekonomik të Kosovës me tregjet evropiane me fuqi të lartë blerëse dhe standarde të avancuara rregullative.
Ajo theksoi se marrëveshja buron nga bashkëpunimet e nisura në vitin 2018 dhe procesi i formalizuar në vitin 2024 në Davos, ndërsa përfshin liberalizimin e tregtisë së mallrave, lehtësimin e qasjes në treg për produkte bujqësore, mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe rregulla të qarta për origjinën e mallrave.
Po ashtu, marrëveshja përfshin edhe zgjerimin e bashkëpunimit në tregtinë e shërbimeve, duke përfshirë shërbimet profesionale, financiare, të transportit, teknologjisë së informacionit dhe turizmit.




