Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pas mbledhjes së Kryesisë, ka reaguar duke dënuar ashpër përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe, sipas saj, në shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se një veprim i tillë përbën cenim serioz të rendit kushtetues dhe mund ta shtyjë vendin drejt një krize politike, me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin institucional.
“Pushteti politik nuk mund të vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet tona. Ky është cenim i rendit kushtetues. Këtë nuk do ta lejojmë dhe do ta ndalojmë,” u shpreh Hamza.
Në deklaratë, Kryesia e PDK-së thekson se shteti i Kosovës është ndërtuar me sakrifica të mëdha dhe se çdo veprim që cenon rendin kushtetues paraqet rrezik serioz për themelet demokratike të vendit.
Po ashtu, PDK vlerëson se Kushtetuta dhe ligjet nuk mund të interpretohen sipas interesave të ngushta politike të momentit, duke paralajmëruar se devijimet nga këto parime krijojnë precedent të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit.
Në fund, partia ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet politike dhe institucionale për mbrojtjen e Kushtetutës dhe rendit demokratik, duke bërë thirrje edhe për vigjilencë qytetare në mbrojtje të shtetit të së drejtës.




