Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka kontaktuar kryetarët e partive opozitare në mbrëmjen e kaluar rreth orës 21:00, duke i ftuar që të marrin pjesë në seancën e Kuvendit, por sipas tij nuk ka marrë përgjigje.
Kurti tha se ka komunikuar me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, por, siç u shpreh ai, nuk ka pasur kthim përgjigjeje.
Ai u shpreh se, ndryshe nga e kaluara kur ishte në opozitë, sot ekziston një qasje më demokratike dhe përpjekje për bashkëpunim institucional, ndërsa shtoi se aktualisht po përballet me mungesë komunikimi nga opozita.
Kurti gjithashtu foli për raportin e votave në Kuvend, duke theksuar se disa përfaqësues të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë më shumë vota individuale sesa drejtues të partive opozitare, duke e cilësuar këtë si realitet të dalë nga vullneti i qytetarëve.
Sipas tij, situata aktuale kërkon respektim të rezultateve zgjedhore dhe funksionim normal institucional.




