Siguria në vendin e punës vazhdon të mbetet një ndër çështjet më shqetësuese në Kosovë, pas një serie aksidentesh që në disa raste kanë përfunduar me fatalitet.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se situata është alarmante, duke theksuar se tashmë mund të konsiderohet se është humbur “lufta” për sigurinë në punë.
Sipas tij, Inspektorati Qendror i Punës ka raportuar se rreth 50% e kompanive ndërtimore nuk posedojnë pajisjet e nevojshme për mbrojtjen e punëtorëve.
“Kjo na bën me dije se nuk kemi pasur kontroll të mjaftueshëm, por as tani nuk kemi përmirësim”, ka deklaruar Azemi për Klan Kosova.
Ai shtoi se, pavarësisht fushatave për rritjen e vetëdijes lidhur me shëndetin dhe sigurinë në punë, ndikimi i tyre ka qenë minimal. Sipas tij, brenda vetëm 10 ditësh, dy punëtorë të rinj kanë humbur jetën në vendin e punës, duke ngritur shqetësime serioze për kushtet dhe mbikëqyrjen në këtë sektor.




