Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka njoftuar se këtë vit do të ndahen 77 milionë euro për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, duke prezantuar një arkitekturë të re të skemave për fermerët dhe agrobizneset.
Në një konferencë për media, ai tha se kjo shumë përfaqëson një qasje të re në organizimin e subvencioneve dhe zhvillimin e sektorit. Sipas tij, fondet do të ndahen në tri shtylla kryesore: 59 milionë euro për pagesa direkte, 10 milionë euro për zhvillim rural dhe 8 milionë euro për stabilizimin e tregut.
Muja theksoi se pagesat direkte do të strukturohen sipas praktikave më të avancuara të Bashkimi Evropian, duke synuar mbështetje më efikase për fermerët. Ai bëri të ditur se rreth 20 milionë euro do të dedikohen për sipërfaqet e punuara, ndërsa 34 milionë euro do të lidhen drejtpërdrejt me prodhimin, me qëllim rritjen e performancës.
Sipas tij, për herë të parë do të aplikohet edhe mbështetja e rishpërndarjes për fermat e vogla dhe të mesme, si dhe një skemë e re për fermerët që aplikojnë për herë të parë. Po ashtu, do të zbatohet një eko-skemë për të mbështetur bujqësinë organike dhe praktikat që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit.
Duke folur për programin e zhvillimit rural, ai theksoi se 10 milionë euro do të fokusohen në sektorë kyç, si hortikultura intensive dhe sistemet e ujitjes, me synim zëvendësimin e importeve me prodhim vendor.
Muja shtoi se mbështetje do të ketë edhe për sektorët e pemëtarisë, prodhimit të qumështit, mishit, drithërave dhe vreshtarisë, si dhe për përpunimin e produkteve bujqësore, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe përgatitjen për eksport.




