Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Kosovës ka kërkuar nga operatorët ekonomikë që të sigurojnë deklarim të saktë dhe të qartë të produkteve të qumështit në treg, si dhe ndarje të dukshme të tyre në rafte sipas përbërjes. Qëllimi i kësaj mase është mbrojtja e konsumatorëve dhe parandalimi i praktikave mashtruese.
Sipas njoftimit, të gjithë operatorët ekonomikë që merren me prodhim, import, distribuim dhe shitje të produkteve të qumështit janë të obliguar të respektojnë kërkesat ligjore për informim të saktë dhe prezantim të qartë të produkteve. Deklaracioni në paketim duhet të jetë i qartë dhe i lexueshëm, duke treguar nëse produkti është me bazë shtazore, me bazë bimore apo me bazë të qumështit pluhur.
Gjithashtu, subjektet që merren me shitje me pakicë duhet të sigurojnë ndarjen e produkteve në rafte sipas kategorive përkatëse. Ministria ka bërë të ditur se përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut do të rrisë inspektimet në ditët në vijim për të siguruar zbatimin e rregullave.
Në rast të mosrespektimit të këtyre kërkesave, operatorët ekonomikë do të ndëshkohen sipas ligjit në fuqi, ndërsa qytetarët ftohen të raportojnë parregullsitë përmes kanaleve zyrtare.




