Një incident i rëndë është raportuar në Akademinë e Policisë, në Shqipëri ku 56 studentë janë paraqitur me simptoma helmimi pas konsumimit të ushqimit në ambientet e institucionit.
Studentët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në shërbimin infektiv, ndërsa vetëm dy prej tyre janë shtruar në spital për trajtim të mëtejshëm. Pjesa tjetër, pas marrjes së ndihmës së nevojshme, është liruar në gjendje të mirë shëndetësore.
Menjëherë pas ngjarjes janë marrë mostra të ushqimit për analiza laboratorike, ndërsa hetimet epidemiologjike janë nisur nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar dy punonjës të kompanisë katering – kuzhinierin dhe teknologen e ushqimit – ndërsa administratorja e kompanisë është shpallur në kërkim. Sipas autoriteteve, po vijon puna për dokumentimin e plotë të përgjegjësisë penale të të përfshirëve.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprën penale të lidhur me ushqime të rrezikshme për shëndetin e njerëzve.




