Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar lidhur me praninë e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Skenderaj gjatë natës së kaluar, duke e cilësuar ndërhyrjen si të panevojshme dhe të papranueshme.
Në një lidhje telefonike për emisionin “Kosova Today”, Musliu tha se aksioni policor i zhvilluar nga mesnata deri në orët e hershme të mëngjesit njihet në terminologjinë policore si “unaza e çeliktë” ose “rrethi i çeliktë”.
Sipas saj, një operacion i tillë nuk ka qenë i arsyeshëm dhe nuk duhet të përsëritet në të ardhmen. Ajo theksoi gjithashtu se situata të tilla nuk duhet të provokojnë qytetarët e Drenicës.
Musliu deklaroi se pas reagimeve të saj është përballur me sulme në rrjetet sociale nga, siç tha ajo, llogari të rreme dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje, por shtoi se këto nuk do ta ndalin atë nga qëndrimet e saj publike.




