Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka folur për incidentin e djeshëm në Skenderaj, ku kryetari i degës së VV-së në këtë komunë, Hysni Mehani, ka deklaruar se është sulmuar nga kryetari i komunës, Sami Lushtaku.
Gucati ka mohuar se ka pasur sulm nga Lushtaku, duke theksuar se ende nuk është vërtetuar dhe verifikuar një gjë e tillë.
“Realisht, këtu nuk ka pasur sulm nga kryetari i komunës, sepse kjo nuk është vërtetuar ende. Ka pasur nga njerëz të caktuar, por jo nga Sami Lushtaku”, ka thënë ai.
Ai ka kritikuar gjithashtu gjuhën fyese dhe linçimet në rrjetet sociale, duke i cilësuar si të papranueshme, veçanërisht ndaj figurave publike.
Sipas tij, si dhuna ashtu edhe fyerjet janë të dëmshme dhe kanë kontribuar në përshkallëzimin e situatave të tilla.
Gucati ka komentuar edhe praninë e Njësisë Speciale të Policisë në Skenderaj, duke e cilësuar si të tepruar ndërhyrjen me forca të mëdha gjatë orëve të vona.
Ai shtoi se përçarjet në shoqëri, sipas tij, vijnë si pasojë e politikave dhe deklaratave të caktuara, ndërsa theksoi se ende nuk ka konfirmim zyrtar për ftesa apo procedura nga prokuroria në lidhje me rastin./EO/




