Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj luftës në Ukrainë dhe marrëdhënieve me Rusinë.
Ai tha se Evropa ka bërë një gabim strategjik duke ia lënë Shteteve të Bashkuara rolin kryesor në dialogun me Moskën, duke theksuar se BE-ja nuk duhet të heqë dorë nga pozicioni i saj në skenën ndërkombëtare.
“Duke ia lënë bisedën me Rusinë SHBA-së, Evropa po humb ndikimin e saj global,” është shprehur Rama.
Në një intervistë për median estoneze Postimees, gjatë konferencës Lennart Meri, ai ka theksuar gjithashtu se Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë procesin e vendimmarrjes dhe të reformojë mekanizmat e brendshëm, duke përfshirë çështjen e vetos së shteteve anëtare.
Rama ka përsëritur gjithashtu optimizmin se Shqipëria mund të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2030, duke argumentuar se zhvillimet globale, përfshirë luftën në Ukrainë, kanë ndikuar në përshpejtimin e procesit të zgjerimit të unionit.




