Policia Kufitare e Kosovës ka zhvilluar një operacion në fshatin Rakaj të Ferizajt, ku dyshohej për mbajtje dhe kontrabandim të paligjshëm të kafshëve të imta.
Gjatë aksionit, të realizuar në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, janë gjetur 108 dele, prej të cilave 100 pa numra matrikuli dhe pa dokumentacion për origjinën apo kontrollin veterinar.
Sipas policisë, rasti paraqet rrezik serioz për shëndetin publik dhe sigurinë ushqimore.
Me rekomandim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “kundërvajtje doganore” dhe i është dorëzuar Doganës së Kosovës në Han të Elezit për procedim të mëtejmë.
Policia ka bërë të ditur se hetimet për rastin po vazhdojnë në koordinim me organet kompetente.




