Për nder të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, BIRN Kosova lansoi dëshmitë e familjarëve të personave të zhdukur, në kuadër të një projekti të ri që synon regjistrimin dhe dokumentimin e intervistave të gjata me ta.
Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, theksoi rëndësinë që media ka në procesin e drejtësisë tranzicionale dhe pajtimit.
“E ardhmja ime më e dashur është mbështetja e organizatave dhe iniciativave që punojnë pandërprerë me familjet e të zhdukurve, u japin zë të mbijetuarve dhe krijojnë vetëdije për rëndësinë e drejtësisë. Puna jonë nuk ka të bëjë vetëm me përkujtimin, por është edhe një element kyç në marrjen e vendimeve dhe ndërtimin e të ardhmes”, tha Bianciardi.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se çështja e personave të zhdukur është plagë e hapur dhe një nga sfidat më të mëdha të pasluftës.
“Ne pajtohemi që sfidat mbesin serioze veçanërisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga ana e Serbisë, e cila vazhdon të fshehë informacione për fatin e personave të zhdukur dhe nuk i hap arkivat. Për këtë arsye kemi kërkuar nga partnerët tanë të ushtrojnë edhe më shumë presion mbi Serbinë, për të zbuluar të dhënat që ka në dispozicion dhe për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës në zbardhjen e personave të zhdukur”, tha Haxhiu.
Kurse drejtoresha ekzekutive e BIRN Kosova, Jeta Xharra, tha se ky projekt është një stimul për idenë se nuk është vonë të flitet dhe të dokumentohet dhuna dhe rrëmbimet e kryera gjatë luftës.
“Njerëzit kanë filluar të japin më shumë informacione dhe projekti ynë është stimulues i idesë që nuk është vonë të flasim, nuk është vonë të rikujtojmë, shënuar dhe regjistruar rrëfimet se si janë rrëmbyer edhe zhdukur njerëzit me dhunë”, tha Xharra.




