Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin ndaj një grupi të të pandehurve të dyshuar për krim të organizuar, trafikim të narkotikëve dhe shpërlarje të parave.
Kërkesa ishte paraqitur kundër vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, të cilat kishin vazhduar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve.
Supremja vlerësoi se ekziston dyshim i bazuar për veprat penale dhe se provat e mbledhura gjatë hetimeve, përfshirë komunikime dhe materiale të tjera hetimore, mbështesin vazhdimin e paraburgimit.




