Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka prezantuar zotimin e tij të tretë qeverisës, që ka të bëjë me përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.
Në një konferencë për media, Hamza tha se sistemi aktual shëndetësor përballet me probleme të mëdha dhe qytetarët po përballen me kosto të larta dhe pritje të gjata për trajtim.
Ai u zotua se në qeverinë e tij do të zbatohen sigurimet shëndetësore, do të sigurohen barna falas për pacientët me sëmundje kronike dhe do të garantohet furnizim i rregullt me barna esenciale.
Po ashtu, Hamza premtoi modernizim të QKUK-së, ndërtimin e Spitalit Rajonal të Prishtinës, digjitalizim të sistemit shëndetësor dhe krijimin e qendrave të reja të specializuara dhe emergjente.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që ta mbështesin programin e PDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.




